koncepti dhe realizimi

Anastas Kostandini (Taso) lindi në Pogradec më 29 korrik 1954. U rrit në një familje punëtore me lidhje të forta me artizanatin dhe jetën qytetare: i ati kishte një dyqan frutash e perimesh në rrugën “Naim Frashëri”, ndërsa e ëma, një nga rrobaqepëset e para të qytetit, ishte një natyrë krijuese që ndikoi thellësisht në formimin estetik të të birit. Që i vogël dallohej për aftësi artistike: vizatonte, gdhendte copa argjile e qymyri dhe luante teatër. Në moshën 14-vjeçare organizoi ekspozitën e parë me vizatime për Skënderbeun. Po atë vit, më 1968, u pranua në Liceun Artistik në Tiranë, ku u formua mes ndikimeve të artit shqiptar dhe mjeshtërve europianë si Cézanne, Gauguin e Picasso. U diplomua me një punim modern për kohën, të frymëzuar nga përvoja në uzinën mekanike.Lexo më shumëStudimet i vazhdoi në Institutin e Lartë të Arteve, por për shkak të “ndikimeve të huaja” u përjashtua për një vit gjatë Plenumit të Katërt. Pas rikthimit, punoi mbi tema historike dhe të luftës. Diploma përfundimtare, “Çlirimi i Pogradecit”, u udhëhoq nga Fatmir Haxhiu. Në vitet '80, kontribuoi si piktor dhe skenograf në Pogradec, ndërkohë që mori pjesë në projekte kombëtare monumentale. Është një nga pesë autorët e mozaikut “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, një vepër emblematike, për të cilën u nderua me Medaljen “Naim Frashëri” të klasit të dytë. Në të njëjtën periudhë, piktura “Mësonjëtorja e parë shqipe në Pogradec” u vlerësua me çmim të tretë kombëtar. Punoi për vite me radhë si skenograf në Estradën Profesioniste të Pogradecit, në bashkëpunim me regjisorin Mario Ashiku. Miqësia me kritikun Eduard Guxholli çoi në botimin e librit “Mjeshtrat e pikturës botërore” më 1990, një nga përpjekjet e para për të sjellë artin ndërkombëtar në gjuhën shqipe. Në vitet '80 dhe '90 botoi rregullisht ilustrime në shtypin letrar dhe mori pjesë në ekspozita kombëtare. Studioja e tij në qendër të Pogradecit u bë vend krijimi i pandërprerë. Peizazhi dhe skenat nga jeta qytetare mbetën motiv i qëndrueshëm në punën e tij. Ka realizuar murale në vende me funksion publik si te “Oktapodi”; veprat “Nositi” dhe “E Dashuruara” (1988), si dhe portrete e kompozime të frymëzuara nga pena e Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, Fan Nolit etj. Përveç veprimtarisë së tij në Shqipëri, Taso është përfshirë në ekspozita dhe bashkëpunime ndërkombëtare që nga fundi i viteve ’80, duke prezantuar punën e tij në Greqi, Itali, Gjermani, Hollandë, USA etj. Ai ka marrë pjesë në rezidenca dhe takime artistësh, duke sjellë në këto kontekste një perspektivë unike, të lidhur ngushtë me kujtesën historike dhe dimensionin njerëzor. Stili i tij, ku ndërthuren figuracioni, peizazhi dhe poezia vizuale, ka ngjallur interes në qarqe të artit bashkëkohor, si dëshmi e një zëri të qëndrueshëm e të përkorë në skenën vizuale ballkanike. Ai është Qytetar Nderi i Pogradecit. Taso ka investuar jetën dhe krijimtarinë e tij kryesisht lidhur me vendlindjen dhe identitetin kombëtar. Edhe sot, Taso punon në mënyrë të pavarur në Pogradec, duke mbetur i lidhur ngushtë me qytetin, kujtesën dhe historitë që formojnë atë. Vepra e tij ndërthur mjeshtërinë klasike me ndjeshmërinë personale, duke sjellë një art të heshtur, por thellësisht të përkushtuar ndaj vendit dhe kohës.

koncepti dhe drejtimi artistik

Ledia Kostandini është artiste vizuale, lindur në Pogradec. Ka ndjekur studimet në Art Monumental në Tiranë dhe sot punon si artiste e pavarur, lektore dhe ilustruese. Arti i saj eksploron marrëdhënien mes hapësirës, kujtesës dhe identitetit kolektiv. Pogradeci ka qenë gjithnjë një prani e butë dhe mikluese në qasjet e saj artistike. E lidhur ngushtë me këtë qytet, ajo ruan afeksionin, shqetësimin dhe kureshtjen për të sjellë perspektiva të reja mbi identitetin e tij. Ledia ndërton ura mes kujtesës personale, fëmijërisë dhe transformimeve të mëdha shoqërore që ka përjetuar, duke i kthyer ato në bazë për reflektime më të gjera kolektive. Projektet e saj zhvillohen në mediume të ndryshme si instalacioni, fotografia, botimi artistik, vizatimi, skulptura apo tekstili. Postpostcards është një nga projektet e saj, që eksploron Shqipërinë e sotme përmes koleksionit të kartolinave familjare. Ndërsa në punë si Aftermoments ose Architextile, ajo rikrijon vepra tekstile përmes teknikës së qepjes së trashëguar nga gjyshja,Lexo më shumëduke lidhur kujtesën familjare me gjurmë të identitetit të përbashkët. Ajo është bashkëkonceptuese e Nënqytetit, së bashku me të atin, Tason. Ledia udhëheq vizionin artistik të këtij udhërrëfimi, i cili zbulon gjurmë të fshehura urbane. Përmes dialogut ndërbrezor, ajo dhe i ati nisin një rrugëtim magjik, ku kujtesa i jep trajtë hapësirës dhe sfumon kufijtë e kohës.

kurimi dhe komunikimi

Paola Iljazi ka ndjekur studimet në Shkenca Sociale dhe Politika të Teknologjisë në Universitetin e Mynihut, si edhe në Teori dhe Kritikë Letrare në Universitetin e Tiranës. Eksperienca e saj ka ndërthurur kërkimin shkencor, koordinimin e iniciativave në fushën e edukimit dhe të kulturës, dhe përkthimin letrar. Si pjesë e Nënqytetit, krahas koordinimit të projektit, ajo udhëheq kërkimin arkivor dhe linjën editoriale të publikimit shoqërues, i cili do të ofrojë një qasje ndjesore dhe narrative mbi qytetin e Pogradecit, mes memories dhe arkitekturës, kartografisë dhe fotografisë.

autore e shkrimit "Pëlhura e nënqytetit"

Amanda Cici është arkitekte restauratore, me mbi një dekadë përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore në Qarkun e Korçës. Ka përfunduar studimet master për Arkitekturë dhe Dizajn Urban, si dhe Restaurim Monumentesh Kulturore. Ndër publikimet e saj përfshihet manuali studimor për trashëgiminë ndërtimore të Pogradecit, i cili ofron udhëzime konkrete për ruajtjen e elementeve tradicionale në zonat historike, kuruar nga arkitekti Kliti Kallamata. Amanda punon prej vitesh në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe përfaqëson një zë të angazhuar në mbrojtjen e identitetit arkitektonik të qyteteve shqiptare. Në vitin 2015, realizoi ekspozitën “Fototeka Misto Cici”, ku u sollën për herë të parë një pjesë e Lexo më shumë arkivës fotografike të Misto Cicit, duke krijuar një urë të ndjeshme mes banorëve dhe kujtesës vizuale të qytetit. Si pjesë e Nënqytetit, ajo është autore e tekstit "Pëlhura e nënqytetit".

autor i tekstit "Midis përshkrimit dhe mbishkrimit: mjetet e memories grafike"

Dejvi Dauti është arkitekt lindur në Vlorë më 1997. Ai ka kryer studimet Master në Arkitekturë në IUAV, Venecia, me punimin e titulluar ‘Çamëria – Shkrime, kujtime dhe imazhe: mjetet e rikujtesës arkitekturore.’ Aktualisht është asistent lektor dhe ndjek studimet e doktoraturës në Universitetin Polis, Tiranë dhe Universitetin e Ferrarës. Puna e tij kërkimore fokusohet mbi imazhin mendor si instrument për projektin bashkëkohor. Publikimet e tij janë përfshirë në Architetture a tempo determinato, kuruar nga Alberto Bertagna dhe Simone Gobbo, si edhe Ripensare Acqui Terme Progetti per la rigenerazione urbana, kuruar nga Vincenzo Ariu.  Si pjesë e Nënqytetit, ai është autor i tekstit “Midis përshkrimit dhe mbishkrimit: mjetet e memories grafike”.

konsulenca historike

Ledjan Zeqollari është diplomuar në Pedagogji në Universitetin e Tiranës dhe është angazhuar në mësimdhënie për afro një dekadë në disa nga shkollat e Pogradecit. Pasioni për historinë dhe hulumtimin e ka çuar përtej mësimdhënies, drejt një angazhimi të vazhdueshëm në zbulimin dhe dokumentimin e së kaluarës së qytetit. Në vitin 2020 kuroi ekspozitën “Pogradeci në Celuloid”, ndërsa në 2022, kontribuoi në zbulimin e planit të parë urbanistik të Tiranës (1916) nga arkivat austriake, në bashkëpunim me arkitektin Artan Shkreli. Është autor dhe bashkëautor i disa emisioneve dokumentare mbi historinë lokale, veçanërisht për periudhën e dy Luftrave Botërore, si dhe ka botuar shkrime të ndryshme historike në media digjitale. Ledjani është gjithashtu koleksionist i një arkive të rrallë që përfshin karta postareLexo më shumë, zarfe dhe artikuj gazetash të huaja nga periudha 1917–1944, me fokus të veçantë Pogradecin. Si pjesë e Nënqytetit, ai ka kontribuar si konsulent historik, duke orientuar mbi të dhëna kyçe dhe ngjarje të caktuara që lidhen me kujtesën e qytetit.

mbështetja digjitale dhe zhvillimi virtual

TOK / DGTL është një agjenci kreative dhe digjitale me mbi shtatë vite përvojë në tregun shqiptar dhe ndërkombëtar. E themeluar dhe drejtuar nga Erind Aliçkolli, agjencia ofron një gamë të gjerë shërbimesh që përfshijnë komunikimin strategjik, marketingun digjital, prodhimin e përmbajtjes multimediale, zhvillimin e faqeve web, menaxhimin e rrjeteve sociale dhe koordinimin e projekteve me fokus në rezultat.Lexo më shumë, Me një ekip multidisiplinor që bashkon kreativitetin, teknologjinë dhe analizën e të dhënave, TOK / DGTL ndihmon brande, institucione publike dhe organizata të ndërtojnë identitete të qëndrueshme, të angazhojnë audiencat e tyre dhe të komunikojnë me ndikim në çdo platformë digjitale. Erindi, i lindur dhe rritur në Pogradec, mban një ndjeshmëri të veçantë ndaj projektit Nënqyteti dhe është bërë një mbështetje thelbësore në materializimin e tij në versionin digjital. Nën kujdesin e stafit të TOK, po përpunohet e gjithë struktura digjitale e Nënqytetit — duke ndërtuar një hartë virtuale dhe një enciklopedi të kujtesës për Pogradecin e dikurshëm.