Vendosa ta vizatoj këtë segment të bulevardit nga pikëpamja e një varke që po shëtit në gjol. Dikur, këtu shfaqej një nga panoramat më të ëmbla të qytetit. Ishte një brez i qetë shtëpish me fasada të stilizuara, ballkone e kopshte, që shikonin nga liqeni. Sot, nga ajo pamje kanë mbetur shumë pak gjurmë.
Ndërtesa me flamuj ka qenë më parë Posta e qytetit, më pas ajo u kthye në Këshillin Popullor. Pikërisht këtu bëhej celebrimi i martesave – edhe prindërit tanë u martuan në atë godinë. Por ajo që sot tingëllon e pazakontë, është fakti që për një kohë të gjatë aty shkonim edhe për të bërë… roje operative ose dezhurn. Një herë në muaj, qytetarë të zakonshëm kalonin aty gjithë natën, për të qenë “vigjilentë ndaj një agresioni të mundshëm imperialisto-revizionist”. Në gjasë të një sulmi bërthamor (që nuk ndodhi kurrë), secilit i besohej një zarf sekret, që duhej hapur vetëm “në rast rreziku kombëtar”.
Përbri Postës vinin shtëpi të tjera me apo pa oborre. Në këndin e njërës prej tyre, ishin fotografët e qytetit. Akoma më poshtë, për fat të mirë, ruhet një nga godinat më të bukura të kësaj zone, e cila sot njihet me emrin Vila Sigal. Dikur u ndërtua nga gjyshi im, Koli, por nuk u banua asnjëherë, sepse shumë shpejt u mor dhe u përdor nga shteti komunist.
Më tej (aty ku sot ngrihet një pallat i lartë), vinte shtëpia e mrekullueshme e Verçunëve.
Sot, ndoshta duket si skenë nga një film absurd, por për atë kohë kjo ishte pjesë e përditshmërisë.
Si të shkulura një nga një, shtëpitë u zhdukën në emër të kohës dhe zhvillimit, duke lënë pas një boshllëk në kujtesën e qytetit.