Xhamllëku / Berberhana

Në krye të rrugës “Naim Frashëri”, aty ku dikur niste pazari i vjetër, rrinin rresht dyqanka të vogla prej druri. Të gjitha këto dyqane të improvizuara nisën të ngriheshin pak nga pak pas vitit 1943, kur pazari u dogj.

Pikërisht në këtë zonë ishte berberhana e vogël, një qoshe plot gjallëri e humor. Batutat, thashethemet dhe humori i çliruar e bënin jetën më të durueshme për njerëzit e thjeshtë. Berberi njihej për pasionin ndaj vitrinave prej xhami, dhe ndoshta prandaj vendi u quajt më vonë “Xhamllëku”. Prej andej mund të sodisje gjithë nyjën e qytetit, njerëzit që ndalonin për të blerë diçka, ata që ngrohnin shpatullat në diell, etj. Ishte një vend ideal për të parë e komentuar. 

Këtu, rrinin lloj-lloj personazhesh të veçantë për nga humori e temperamenti: Maqo Pelivani, llustraxhiu i vogël që këndonte me pasion teksa punonte. Gjorgji Gusho, një lloj shpikësi i lagjes, që përpiqej të lëshonte një “sputnik” në qiell. Sotir Zderja, gjithmonë i veshur shik dhe me humor të pashtershëm, ishte mjeshtër në ndërtimin e puseve të thella të ujit (çdo shtëpi kishte nga një që mbante vulën e tij). Ndërsa Koli Boro, një karakter grotesk dhe shumë qejfli, krijonte skena të paharrueshme me fjalët dhe mimikën e tij dehëse. Ai ishte një lloj aktori spontan i rrugës, që gjente gjithmonë mënyrën për t’i bërë njerëzit të qeshnin apo të skuqeshin.

Aty ka qenë edhe “Hani i Petres”, një han ku ndaleshin për të pushuar udhëtarë dhe kafshët e tyre të ngarkuara.

Të dielave, prej berberhanes dëgjohej shpesh zëri i komentatorit të futbollit në radio. Ndonjëherë, entuziazmi ose zhgënjimi i tifozerisë përfundonte me ndonjë xham të thyer.