Shtëpia e Mitrush Kutelit ishte në zemër të lagjes së Burimave. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 8 shtator 1943, ajo u dogj nga fashistët italianë. Qysh atëherë, ky vend ka mbetur i rrafshuar dhe i mbuluar nga ferrat. Nuk ekziston asnjë foto ose evidencë pamore. Vetëm një çezmë me qemer ka mbijetuar nga djegia. Mbi të është gdhendur viti 1929, mbase nga Pandi, i biri.
Pandi Pasko dhe vëllai im, inxhinieri Rako, një mbrëmje folën gjatë për shtëpinë e djegur. Teksa Pandi përshkruante, Rakoja skiconte një planimetri banese. Kështu, të paktën u krijua një ide se si kishte qenë shtëpia.
Edhe unë e kam pasur ëndërr t’i jap një imazh shtëpisë së harruar të Kutelit. Mbase është hera e parë që kjo po ndodh. Jam mbështetur në dëshmitë që kam dëgjuar, në skicat e Rakos dhe në themelet origjinale të banesës.
Ishte një shtëpi modeste me karakter popullor, dy katëshe dhe pa oborr. Pranë saj, kalonte një vijë me ujëra burimi. Pjergullat e rrushit vareshin pas mureve, deri sipër në çati. Ato freskonin me hijen e tyre. Postafi, që ekziston edhe sot, ndodhej në të djathtë të fasadës.
Shumë afër, ishte edhe banesa e poetit Lasgush Poradeci. Ato i bashkonte një rrugicë shumë e ngushtë, ku rridhte gjithnjë vraga e ujit. Tashmë ajo ulicë mbresëlënëse është zaptuar, duke krijuar një ndarje mes shtëpive të këtyre dy poetëve.