Shtëpia e Garikut

Në të djathtë të këtij vizatimi, shfaqet një nga banesat më të veçanta të qytetit. Ajo ka qenë shtëpia e inxhinierit francez Albert Garik, i cili vendosi të qëndronte në qytetin tonë pas Luftës së Parë Botërore, si nënoficer i ushtrisë franceze në rajonin e Korçës autonome.

Ky person pati një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e identitetit arkitekturor të gjithë Pogradecit. Kujtimi për të është ende shumë i fortë dhe i respektuar. Babai im e përmendte gjithmonë, duke treguar për veprat ndërtimore në Pogradec. Atë mund ta quajmë arkitekt, urbanist, ndërtues, por edhe studiues të burimeve natyrore dhe zakonore të Pogradecit.

Gariku e ndërtoi këtë shtëpi për vete dhe familjen e tij franko-shqiptare. Fasada e saj prej guri kishte stil francez. Shtëpia rrethohej nga një lëndinë me lule që niste prej bulevardit e zbriste pranë liqenit.

Kjo shtëpi nuk ndryshoi as kur inxhinieri u largua për në Francë me familjen e tij. Në të banuan ish-partizanë, pa dëmtuar asgjë, deri në fund të viteve ‘60. Më pas ajo u rrafshua, së bashku me disa banesa të tjera përreth. Në atë truall u ngrit hoteli i ri i turizmit, me emrin “Guri i Kuq”. Këtë emër e mori për shkak të minierës së hekur-nikelit, ku punonte një pjesë e madhe e qytetit.