Rruga “Naim Frashëri”

Rruga “Naim Frashëri” lidh lagjen historike të Burimave me pjesën qendrore të Pogradecit. Kjo rrugë lidhte natyrshem pazarin e qytetit me sheshin pranë xhamisë. Ajo ka qenë një rrugë e rëndësishme qysh në kohët osmane, me një karakter sa popullor aq edhe tregtar.

Shumë prej ndërtesave përgjatë rrugës ishin ndërtuar me sqimë: disa prej tullash e me çati llamarine, të tjera të suvatuara dhe me tjegulla. Poshtë tyre, ndodheshin dyqane të vogla familjare, ku mbështetej ekonomia e jetës së përditshme. Dyqanet ishin të shumta: kovaçanaja e Mihalit, dyqani i Koçit të Tushit, Fani sheqerxhiu etj. 

Më vonë, disa prej dyqaneve u shtetëzuan, si robaqepësja “te Majami”, ku punonin gra e burra për të qepur rroba me porosi. Kishte edhe një riparues biçikletash, Gjorgji. Lasgushi e quante “Gjorgji i Madh”. Ata takoheshin çdo mbrëmje e bisedonin për kozmosin me vështrimin drejt qiellit plot yje. Gjorgji e ndiente veten shpikës në kohën kur sputnikët filluan të rrotulloheshin rreth Tokës, një figurë sa e veçantë aq edhe poetike në realitetin e asaj kohe.

Mund të themi që kjo rrugë dallohej për banorë me individualitete të forta, për fise të njohura dhe për histori që shpesh përzienin humorin me të vërtetën. Gjatë ditës, aty qëndronin të dehurit e lagjes, që shpotisnin njëri-tjetrin dhe këdo që kalonte. Vera, rakia dhe batutat karakteristike provinciale kishin selinë pikërisht në këtë rrugë. Ata që zbrisnin nga lagjja e burimave ndaleshin për një gotë, një dorë muhabet, e më pas qetësoheshin buzë liqenit.

Një banor i spikatur ishte dhe patrioti Koçi Shkurti. Thuhet se ai ngriti flamurin e parë të pavarësisë hipur mbi një but vere, gjysmë i dehur nga gëzimi i çlirimit. Në shtëpinë e tij priti Fan Nolin, që më vonë u bë kryeministër dhe kryepeshkop i Kishës Autoqefale Shqiptare.

Rruga kishte tre furra buke ndër më të mirat e qytetit. Në krye të rrugës, ndodhej çezma me ujin e burimeve, një tjetër ishte pranë furrës së Cikos, dhe një e tretë në hyrje të rrugicës së fisit të Ilollarëve.