Në këtë pikë të liqenit, ku sot gjithçka duket e qetë dhe e zbrazët, dikur ndodhej Policia Kufitare. Zona ishte e ndaluar për civilët, me tabelën “NDAL” të vendosur pas gardhit, dhe patrullohej natë e ditë nga roje, motobarka e prozhektorë të ndezur. Që nga lumi e deri te huçkat që ende shihen në ujë, çdo gjë përshkohej nga ndjenja e kontrollit dhe misterit. Nga larg, fëmijët vëzhgonin me kureshtje të madhe, njësoj si në skenat e filmit Mëngjese lufte, ku tensioni i së panjohurës të mbante pezull.
Ndërsa aty ku ndodhet Oktapodi, dikur ishte një godinë e ndarë mes Policisë dhe Shtëpisë së Pionierit. Ky ishte një institucion që kultivoi fëmijë të talentuar në teatër, arte pamore, muzikë dhe sport. Në katin përdhes, u krijua Teatri i Kukullave nga aktori Piro Xëci, ndërsa në sheshin përpara lulëzoi volejbolli i vajzave që bëri emër kombëtar.
Fare pranë, në një godinë të madhe (të shpronësuar nga Istref Beu), ishte kopshti i fëmijëve “Tomka Laçka”. Pikërisht këtu, në sallën e provave, çela ekspozitën time të parë kushtuar Skënderbeut kur isha 14 vjeç, në vitin 1968.