Lagjja e Toplecit

Këto shtëpi përballë njëra-tjetrës duken sikur bisedojnë miqësisht. Para tyre, formohet një shesh ku kryqëzohen rrugët, njëra të çon te burimi i Toplecit dhe shkolla shqipe, tjetra të çon te lumi. Për fat, ky vend ka mbetur thuajse i pandryshuar, ende qëndron në këmbë me pamjen e dikurshme.

Njëra nga shtëpitë më të vjetra të lagjes (ajo që duket përballë) ka qenë e Sandri Qipros, një shofer i njohur që punoi edhe gjatë kohës së Italisë. Kjo ndërtesë modeste prej qerpiçi shërbeu si bazë e Luftës Nacionalçlirimtare. Në pleqëri, Sandri qetësohej duke qëndruar te “guri i pragut”, përpara portës.

Në të majtë, një shtëpi tjetër, me portën harkore dhe ballkonin e vogël, duket si sfond për një përrallë. Fasada zbukurohet me lule të mbjella në kova llamarine të lyera me gëlqere. Prej vitesh aty banon familja Gegprifti, e ardhur nga Mokra, e cila ka sjellë me vete një trashëgimi kulturore që është shkrirë natyrshëm me zakonet pogradecare. Vështirë të kuptohet historia e qytetit pa ritet e thella mokrare.

Një mur e ndante këtë shtëpi nga muzikanti Milto Vako, dirigjent i muzikës korale dhe i korit të Kishës Autoqefale në Tiranë. Kurse përballë jetonte muzikanti Mihallaq Kole, i cili bashkë me të birin, Klementin, lanë gjurmë në këngën qytetare. E paharrueshme mbetet kënga: “Pogradec o Enkelana, vend për trima e për zana”.

Ky vend ruan ende një intimitet të rrallë, si një labirint rrugicash ku mikpritja dhe kujtesa mbeten të gjalla.