Furra e bukës së Cikos, në rrugën “Naim Frashëri”, ishte një vend që çelej shumë herët në mëngjes dhe ngrohte jo vetëm bukët, por edhe ritmin e jetës.
Brumi zihej në mesnatë dhe piqej në kallëpe metalike. Aroma e lakrorëve, tavave dhe bukëve për dasma e fejesa përhapej nëpër lagje, duke e kthyer furrën në një pikë takimi. Furrtari, me përparëse të bardhë dhe kapele të fryrë, punonte së bashku me ndihmësin. Mbi çdo tepsi vendosej një numër metalik për të mos ngatërruar porositë. Një llambë e vogël ndriçonte brendinë e furrës për të kontrolluar gatimin.
Furra ishte gjithnjë plot zëra e biseda. Urimet për “dreka të mira” dhe ftesat për të ndarë vaktin me të tjerët ishin të zakonshme. Të dielave, rradha zgjatej, sepse ishte dita kur familjet hanin bashkë, të çlodhura nga angazhimet e javës.
Rrugica përbri njihej për qytetari dhe nikoqirllëk. Shtëpitë e afërta krijonin ndjesinë e një familjeje të madhe, ku jetonin bashkë kthina dhe deriçka. Thuhej se dikur, rrugica kishte dy porta që mbylleshin natën, për të mbrojtur banorët nga kalimtarë të padëshiruar.