Topleci dhe “Kroi i fshatit tonë” janë dy burime të afërta, të vendosura në të njëjtën lagje. Janë ujëra të lashta dhe të gjalla. Thuhet se fillimet e jetës së banuar në Pogradec kanë nisur që këndej.
Ujërat rrjedhin ngado, madje edhe në themelet e shtëpive. Kështu është krijuar një intimitet i rrallë, ku komunikimi mes fqinjëve ndodh si brenda një familjeje. Dikur, uji rrëshqiste nëpër rrugica e derdhej në lumë. Edhe vetë lumi ka qenë po aq i pastër e i pijshëm sa burimet. Lagjja është e dendur me banesa të periudhave të ndryshme. Gjatë luftërave, këto rrugica kanë shërbyer si strehë për të fshehur, mbrojtur dhe mikpritur njerëz.
Rruga e Toplecit sot ngjan me një oborr të madh shtëpie. Banorët ndjekin jetët e tyre të përditshme, me zakone, rituale dhe besëtytni. Dritaret, të shumta e përballë njëra-tjetrës, qëndrojnë pezull mbi ujë. Ajri është i freskët, i mbushur me aromën e pyllit të gështenjave, që nis vetëm pak më sipër.