Privacy Policy
Nënqyeti
Website by Tok DGTL
Images @Anastas Kostandini @NENQYTETI
Privacy Policy
Nënqyeti
Website by Tok DGTL – Images @Anastas Kostandini @NENQYTETI
Albert Garik ishte një inxhinier dhe oficer francez që mbërriti në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore si pjesë e trupave franceze të vendosura në juglindje të vendit. Pas përfundimit të luftës, Gariku vendosi të qëndronte në Pogradec, ku kontribuoi për disa vite në zhvillimin urban dhe infrastrukturor të qytetit. Ai punoi si projektues urban dhe teknik i Bashkisë së Pogradecit në vitet 1920–1933. Ndër projektet më të rëndësishme të tij përmenden: hartimi i planit rregullues të qytetit, sistemimi i rrugëve, projektimi i kanalizimeve dhe vendosja e disa parimeve urbane që synonin të ruanin harmoninë ndërmjet qytetit dhe liqenit. Në planin e tij urbanistik, ai parashikonte që ndërtesat të ishin
Llazar Gusho, i njohur në letërsi me emrin e tij artistik Lasgush Poradeci, lindi më 27 dhjetor 1899 në Pogradec, një qytet i vogël buzë liqenit të Ohrit. I biri i Sotir Gushos, një njeri i përkushtuar ndaj arsimit dhe atdheut, Lasgushi nisi udhëtimin e tij arsimor që në moshë të vogël. Pas shkollës fillore në vendlindje, i ati e dërgoi në Manastir për të vijuar studimet në Liceun Rumun. Por, me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, shkolla u mbyll dhe ai u kthye në Pogradec, ku përfundoi pjesërisht arsimin e mesëm. Në kërkim të njohurive të mëtejshme, familja e dërgoi atë në Athinë, ku regjistrohet në Liceun francez Léonin. Por shëndeti i dobët e detyroi të kalonte dy vite në sanatoriumin “Sotiria”, për shkak të sëmundjes së mushkërive,
Misto Cici lindi në Pogradec më 10 tetor 1902 dhe nisi rrugën e tij në artin e fotografisë që në moshën 13-vjeçare, kur mësuesi i tij i kthyer nga Amerika i dha në dorë aparatin e parë me pllaka qelqi. Kjo shënoi fillimin e pasionit të jetës, që do ta kthente Miston në një ndër figurat më të rëndësishme të fotografisë shqiptare. Gjatë viteve ‘40, ai jo vetëm dokumentoi çdo cep dhe stinë të qytetit të tij të dashur, por dërgoi peizazhet e Pogradecit deri në Itali, ku u stampuan në formë kartolinash, që qarkullojnë edhe sot si kujtime të vyera. I quajtur përherë “Babi Misto” nga komuniteti, ai ishte më shumë se një mjeshtër fotografie, ishte kujdestar i kujtesës kolektive, një njeri i përkushtuar që nuk pranoi të largohej drejt Tiranës për të bërë karrierë, por zgjodhi të qëndrojë pranë familjes dhe njerëzve të tij.
Dr. Misto Marko (1926 – 1990s) ishte mjek, dramaturg dhe shkrimtar nga Pogradeci, i njohur si mjeku personal i Lasgush Poradecit dhe një nga figurat më komplekse të qytetit të tij. I diplomuar në mjekësi në Beograd dhe më pas në Bukuresht, ai ushtroi profesionin për dekada me përkushtim të jashtëzakonshëm, duke u bërë një figurë e dashur dhe e respektuar për të gjithë komunitetin.
Nën emrin letrar Mirosh Markaj, ai lëvroi me pasion letërsinë dhe artin dramatik. Është autor i libretit të operetës Zgjimi, me muzikë nga Tonin Arapi (çmimi i Republikës), si dhe i dramave Besa e madhe dhe Udha e flamurit. Shkrimet e tij përfshijnë gjithashtu një roman, ese historike dhe një trilogji për Skënderbeun. Nipi i Mitrush Kutelit, Dr. Mistua mishëronte një urë të rrallë mes shkencës dhe artit, një qytetar i përkushtuar, simbol i humanizmit dhe kujtesës kulturore pogradecare.
Jeta e vëllezërve Darova tregon përballjen e dhimbshme midis Pesë vëllezërit Darova janë një kapitull i veçantë në historinë muzikore dhe njerëzore të Pogradecit, një familje që për dekada mbajti gjallë shpirtin e muzikës në këtë vend, përballë një kalvari të gjatë persekutimesh dhe vështirësish. Ata ishin Ylberi, Metka, Agimi, Mentari dhe Ilirjani. Të njohur si “Bitëllsat e Pogradecit”, në vitet ‘50 e ‘60, pesë vëllezërit u bënë emër i njohur në muzikën shqiptare, duke performuar në qytete të ndryshme si Shkodër, Elbasan, Durrës e Tiranë. Ishte një kohë kur kultura e huaj shënjestrohej nga regjimi, por Agimi solli një kitarë elektrike për herë të parë në Shqipëri. Kështu ai solli edhe një frymë të re në muzikën kombëtare. Familja Darova është fryt i intelektualit Nevruz Darova, një mësues i përkushtuar, që pavarësisht vuajtjeve, mbajti gjallë dritën e dijes dhe kulturës në Korçë e Pogradec.
pasionit për muzikën dhe një sistemi që i dënoi për bindjet politike të njërit prej tyre, Ylberit. Ai u arrestua dhe u dënua për lidhjet e tij me Ballin Kombëtar. Ylberi u kalua në burgun famëkeq të Spaçit, ku kreu 30 vjet dënim në total. Edhe pas daljes nga burgu, vuajtjet vazhduan dhe fatkeqësisht, nuk pati mundësi të jetonte qetësisht, duke u shuar para kohe, pa arritur të shijonte demokracinë. Historia e tyre është e ngulitur në plagët e diktaturës, ku familja u përball me burgime, internime dhe përndjekje të vazhdueshme. Megjithatë, muzika e tyre mbetet një trashëgimi e pashlyeshme në kujtesën e Pogradecit dhe të të gjithë Shqipërisë. Në qytetin buzë liqenit, ku dikur muzika e tyre mbushte verandat e Turizmit të Vjetër, sot historia e pesë vëllezërve Darova kujtohet si një testament i qëndresës, pasionit dhe sakrificës në emër të artit dhe lirisë.
Piro Xëci lindi në Pogradec në vitin 1927. Që në rini të hershme, u dallua për prirjet e tij artistike dhe filloi të angazhohej në jetën kulturore të qytetit përmes grupeve amatore teatrale. Fillimisht kontribuoi në përgatitjen e skenave dhe më pas si figurant. Në vitin 1948, përfundoi një kurs për regjisor të trupave animatore pranë Teatrit Popullor në Tiranë. Pas kthimit në qytetin e tij, vazhdoi të aktivizohej si aktor në Teatrin Amator të Pogradecit.Në vitin 1962, u krijua Estrada Profesioniste e Pogradecit, ku Piro Xëci u emërua regjisor. Nën drejtimin e tij, estrada e qytetit u bë një nga më të vlerësuarat në vend, duke fituar çmime dhe njohje në nivel kombëtar. Paralelisht me punën në estradë, Piro Xëci themeloi dhe udhëhoqi Teatrin e Kukullave në Pogradec. Fillimet e këtij teatri datojnë
në vitin 1952, kur një grup i vogël artistësh lokalë krijoi një trupë kukullash. Piroja ishte figurë qendrore në këtë nismë, jo vetëm si regjisor, por edhe si aktor, skenograf, krijues kukullash dhe autor tekstesh. Në fillim të viteve 1970, Teatri i Kukullave u njoh zyrtarisht si institucion më vete, dhe Piro Xëci u emërua në krye të tij deri në daljen në pension, duke vazhduar të kontribuonte edhe pas kësaj periudhe. Për punën e tij të gjatë dhe të gjithanshme, Piro Xëci është nderuar me titullin “Artist i Merituar” dhe është shpallur “Qytetar Nderi” i Pogradecit. Ai ka marrë pjesë edhe në disa filma artistikë, ku përmenden Kur xhirohej një film dhe Pas vdekjes. Sot, Teatri i Kukullave në Pogradec mban emrin e tij, në nderim të kontributit të tij të veçantë në jetën kulturore të qytetit.
Tomi Spasse Mato lindi në Pogradec më 16 prill 1927. Në vitin 1948, fitoi të drejtën për të vazhduar studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në degën dramatikë, të cilën e përfundoi në vitin 1952. Pas kësaj, shkoi për studime në Akademinë e Arteve të Bukura në Çekosllovaki, ku studioi regjinë e teatrit. Në vitin 1958, me dramën “Halili dhe Hajria” të Kolë Jakovës, mbrojti si i pari artist shqiptar diplomën jashtë vendit, duke sjellë në skenë një pjesë kombëtare me artistë çekë. Në të njëjtin vit, u emërua regjisor në Teatrin “A.Z. Çajupi” në Korçë, ku së bashku me regjisorin Sokrat Mio realizoi gjashtë premiera dhe u nderua me çmimin e dytë në Festivalin Kombëtar të Teatrove për dramën Dasmë në luftë të Mirush Jeros.
Në vitet ‘60, punoi pranë estradës së Gjirokastrës dhe më vonë u emërua regjisor i Estradës profesioniste në Pogradec, ku dha kontribut të madh në zhvillimin e skenës lokale. Gjatë karrierës së tij, Tomi Mato vuri në skenë rreth 137 premiera të ndryshme teatrore, humoristike dhe koncerte, duke u njohur me shumë çmime dhe medalje për aktivitetin e tij artistik. Në vitin 1976, u përjashtua për shkak të “gabimeve ideologjike” dhe kaloi dy vjet në riedukim, por më pas u rikthye si shef kulture pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit dhe punoi deri në pensionimin e tij në vitin 1985. Përveçse regjisor, ai ishte edhe publicist aktiv që nga viti 1948, duke shkruar artikuj, pjesë teatrale, librete dhe komedi, si dhe duke përkthyer e adaptuar vepra skenike.
Thoma Angjele lindi më 8 maj 1935 në Pogradec, në një familje të thjeshtë pogradecare. Humbja e të atit në vitin 1943 (pushkatuar nga gjermanët për veprimtari patriotike), shënjoi thellë fëmijërinë e tij. Nëna, Gjinovefa, mori mbi vete gjithë barrën për të rritur fëmijët, duke punuar si shitëse buke. I heshtur dhe i përkushtuar, Thomai tregoi talent për artin që herët. Pas përfundimit të shkollës 7-vjeçare, ndoqi studimet në Liceun Artistik të Tiranës. Frymëzimi i tij i madh ishte piktori rus Ilya Repin. Pas shkollës, shërbeu në ushtri si dizenjator në Ministrinë e Mbrojtjes, duke punuar mbi hartat ushtarake me specialistë rusë. Pas kthimit në Pogradec, punoi si piktor-dizenjator e skenograf në Pallatin e Kulturës, duke realizuar skenografitë e shumë pjesëve teatrore. Ishte mik i afërt me figura të artit shqiptar si Edison Gjergo, Mario Ashiku, Llazi Serbo e të tjerë, të cilët e quanin shtëpinë e tij “Shtëpia e Piktorit”.
I dashuruar pas filmit dhe letërsisë, mbante një bibliotekë të pasur dhe një koleksion të rrallë filmash, veçanërisht nga kinematografia ruse. Drejtoi për disa vite Kinemanë e vjetër të qytetit dhe ruajti korrespondencë me aktore ruse si Ina Arjepina dhe Tatjana Pileckaja, të cilat edhe e vizituan në Pogradec.
Me Lasgush Poradecin e lidhte një miqësi e veçantë, ata ndanin orë të tëra në studio duke folur për artin dhe poezinë. Familja e Thomait u bë për Lasgushin një strehë e dashur, e ngrohtë. Në shenjë mirënjohjeje, Lasgushi i kushtoi këto vargje:
Ngjitu lart nëpër gëzime
Zbrit në fund nëpër mjerime
Ji veç një nëpër ndryshime
Se kështu ke zemrën time.
Thoma Angjele ndërroi jetë më 28 nëntor 2018 në Pire, Greqi, pranë familjes së tij, duke lënë pas një kujtim të paharruar për qytetin e vet.
Zagorka Shuke, me mbiemrin Kanefçe, lindi më 14 korrik 1914 në qytetin e Ohrit (sot në Maqedoninë e Veriut). Në moshën 14-vjeçare, në vitin 1926, u zhvendos së bashku me familjen në Pogradec, ku babai i saj, një peshkatar profesionist, solli përvojën e tij në këtë qytet. Qysh nga fëmijëria, Zagorka u dallua për talentin e saj në artet skenike. Pas përfundimit të shkollës së vajzave në Tiranë, ajo u kthye në Pogradec dhe u përfshi aktivisht në jetën kulturore të qytetit. Ajo ishte gruaja e parë që iu bashkua Teatrit Amator të Pogradecit, ku luajti me artistë të njohur vendas si Piro Xëci, Pandi Angjeli, Pasko Ziko e Kopi Ambon. Në vitin 1962, me krijimin e Estradës Profesioniste të Pogradecit, Zagorka u bë aktore profesioniste dhe pati
një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në teatër dhe kinematografi. Ajo u shqua me role në filma të njohur shqiptarë si: Kapedani (1972), ku luajti bashkëshorten e xha Sulos, Mëngjese lufte (1975), Rrugicat që kërkonin diell (1975), Zonja nga qyteti (1976), Dita e parë e emërimit (1981) dhe të tjerë. Zagorka njihet për përkushtimin dhe kontributin e saj modest, por të rëndësishëm në artin shqiptar, sidomos në fushën e teatrore dhe kinemasë amatore dhe profesionale. Përkushtimi i saj është njohur edhe zyrtarisht nga Bashkia e Pogradecit, e cila e ka vlerësuar me titullin “Krenaria e Qytetit”. Zagorka Shuke ndërroi jetë më 17 janar 2000 në Pogradec, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në kulturën dhe artin shqiptar.