Qendra e varkave te Familjari

Aty ku sot ndodhet Bashkia, dikur ishte restoranti popullor Familjari,  një godinë me vitrina të mëdha dhe pamje të gjerë drejt liqenit. Porta hyrëse zbukurohej për festat kombëtare me gjethe bushi të sjella nga Guri i Kuq. Në mbrëmje, nga brenda Familjarit rrezatonte gjithmonë një dritë e kuqërremtë. Për Vitin e Ri dhe ditë të veçanta, organizoheshin mbrëmje për nxënësit e dalluar, ku festohej me tone revolucionare, siç e kërkonte koha e pasçlirimit.

Sheshi para Familjarit kishte gjithmonë gjallëri. Quhej “vendi qendror” dhe këtë status e mori zyrtarisht në vitet ‘70, kur u ndërtua Pallati i Kulturës. Thuajse në mes të sheshit ndodhej një lapidar i realizuar nga Odhise Paskali, një monument kushtuar luftëtarëve kolonjare që ranë dëshmorë për atdheun. Sot, ky lapidar është zhvendosur pak më poshtë, në një qoshe të Bashkisë.

Dikur liqeni arrinte fare pranë Familjarit. Bregu ishte natyror, ende i pabetonizuar. Pikërisht këtu ishte krijuar një qendër e bukur varkash shumëngjyrëshe. Në horizont, dallohej manastiri i Shën Naumit. Edhe bulevardi aty pranë ishte ende i paasfaltuar. Ai shërbente si vend pushimi për udhëtarët e rrugëve të gjata, por edhe si terminal për autobusët e linjës së Tiranës. Ky vend më sjell ndër mend çaste mallëngjyese kur vinin e iknin nxënës, ushtarë, pushues, aksionistë dhe studentë.