Lumi

Lumi i qytetit, megjithëse duket si një përrua i vogël, është mbiquajtur “lumi i madh” nga Mitrush Kuteli. Në tregimin e tij, në kohë të keqe, kjo vijë ujore shndërrohej në një lumë të vërtetë që përpinte gjithçka përreth. Në të dy anët e tij, kishte ura të vogla druri që lidhnin dy lagjet, këtëj dhe andej.

Në njërën anë, kishte një rrugë të ngushtë me pak kalldrëm, e cila zbriste deri te gjoli. Nga lartësia e Goricës dergjeshin ujëra që vinin në punë mullinjtë e bluarjes së drithit. Në atë vend, formohej një hauz i gjerë ku gratë lanin rrobat. 

Lumi bashkonte njerëzit si një familje e madhe. Karaktere të shumta njerëzore lidhnin botën e vjetër me brezat e rinj, të cilët sot dëshmojnë për një botë atdhetare, punëtore e nikoqire, me zanate dhe mjeshtëri të rrënjosura thellë në shpirtin pogradecar.

Në këtë vizatim kam ringjallur atë botë të vjetër që mbaj unë mend… aroma e gjyshërve vinte prej thellësive në sofrat dimërore. Aty pihej verë, ziehej raki, haheshin gështenja dhe therej derri për pasterma.

Më vijnë ndër mend disa personazhe që i kam njohur në këtë lagje: familja e Vasil Shukes për shembull, spikaste për prodhimin e një vere “magjike”. Djemtë e tij e ruajtën këtë traditë bashkë me vreshtarinë. Në lagjen e lumit jetonte edhe aktorja gazmore Zagorka Shuke, një artiste e lindur nga zemra e popullit pogradecar.