Diku nga vitet ’50–’60, mbaj mend këtë pamje të xhamisë dhe tyrbes së bektashinjve. Ato ishin afër njëra-tjetrës. Tyrbja, që për çudi quhej “Tyrbja e Shën Kostandinit”, ndodhej në nisje të rrugës “Naim Frashëri”. Xhamia ishte pak më tutje, e ngritur paksa në një kodrinë, e rrethuar nga një lëndinë ku dukeshin ende varret rrotull saj.
Atmosfera i përkiste një Shqipërie që kishte nisur të ndryshonte sadopak në ato vite të komunizmit. Kjo kuptohet nga karakteri simbolik që kanë figurat njerëzore në vizatim. Ato tregojnë kompleksitetin e asaj kohe, kur unë isha ende fëmijë. Shtëpia ime ndodhet shumë afër dhe kjo ishte rruga e përditshme që bëja për të shkuar në shkollë. Më dukej si një udhë mes dy kohësh që ekzistonin njëherazi: ajo e besimit dhe ajo e komunizmit.
Në ditën e Bajramit apo gjatë Ramazanit, dëgjohej daullja si jehonë e besimit fetar që bashkëjetonte në mënyrë të heshtur me realitetin e kohës. Kjo ndodhi të paktën për disa vite, derisa në vitin 1967 ndodhi revolucioni famëkeq kulturor dhe fetar. Nën Komunizëm, Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë dhe të gjitha fetë u ndaluan me ligj. U mbyllën apo u shkatërruan më shumë se 2000 objekte kulti në të gjithë vendin, përfshirë edhe xhaminë e qytetit tonë në Pogradec, e cila u prish po atë vit. Në vitet ‘90, në vend të xhamisë së vjetër, u ngrit një xhami e re.